Pas gati 10 muajsh, Ervin Salianji lirohet nga qelia: Në 17:00 do të jem në konferencë nga selia blu
Gjykata e Fierit ka pranuar kërkersën e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji për lirimin me kusht, pasi ka ezauruar 2/3 e dënimit. Gjithashtu, shërbimi i provës dhe IEVP Fier kanë paraqitur raport pozitiv në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin.
Vendimi është dhënë nga gjyqtarit Noel Vezizi, teksa në seancën e sotme Shërbimi i Provës dorëzoi një raport, teksa shprehu dakordësinë edhe prokurori Genci Mane.
Në seancën e shkuar u paraqit raporti i vlerësimit të sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, i cili sipas avokatit të Salianjit, Ledio Braho, ka rezultuar pozitiv.
Salianji ndodhej prej 27 shtatorit të vitit të kaluar në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me 1 vit burgim për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Salianji kreu edhe mbi 10 muaj burgim, por vlen për t’u theksuar fakti se ai ka si dënim plotësues edhe heqjen e të drejtës prej 5 vitesh për të ushtruar funksione publike.
Ervin Salianji, por dhe Partia Demokratike, e kanë konsideruar dënimin e Apelit për të si një hakmarrje politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt dhe të pambështetur në prova dhe në ligj. Ish-deputeti demokrat e konsideron veten si një të dënuar politik dhe ka paralajmëruar se çështjen do e ndjekë deri në Strasburg.

