Hapet për herë të parë gara për Drejtorin e Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit
Ditën e sotme është hapur për herë të parë gara për drejtor të Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Bëhet e ditur se afati i fundit për aplikantët është data 15 korrik.
Një nga kriteret është, që oficeri i policisë që do të shfaqë interes duhet të ketë domosdoshmërisht gradën “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”.
Gjithashtu përveç këtij kriteri, aplikanti duhet të ketë shtetësi shqiptare dhe të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë.
Po ashtu aplikanti brenda tre viteve të fundit, nuk duhet të ketë marrë masa disiplinore për shkelje të rënda, duhet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore për ushtrimin e detyrës, si dhe të mos ketë konflikt interesi në përputhje me legjislacionin përkatës.
Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, do të nisë verifikimi i dokumentacionit, ndërsa më pas komisioni do të kryejë intervistimin dhe pikëzimin e tyre.

