Shtatë fitues të Çmimit Nobel për Ekonomi thirrje qeverisë franceze të vendosë një taksë minimale ndaj miliarderëve
Shtatë ekonomistë të vlerësuar me Çmimin Nobel për Ekonomi, bëjnë thirrje për vendosjen e një takse minimale mbi pasurinë e super të pasurve në Francë, përmes një artikulli të botuar sot në Le Monde.
Propozimi bazohet në modelin e ashtuquajtur “taksë Zucman”, një amendament që u rrëzua nga Asambleja Kombëtare Franceze në qershor, ndërsa Parisi është në kërkim të burimeve të reja të ardhurash.
“Me vendosjen e një takse mbi më të pasurit, Franca ka mundësinë të udhëheqë sërish botën,” shkruajnë ekonomistët në artikullin e tyre.
Mes firmëtarëve të artikullit janë fituesit e Nobelit për Ekonomi në vitin 2024, Daron Acemoglu dhe Simon Johnson, fituesit e vitit 2019, Esther Duflo dhe Abhijit Banerjee, si edhe ekonomistët e njohur George Akerlof dhe Joseph Stiglitz (Nobel 2001), dhe Paul Krugman (Nobel 2008). Shumica prej tyre janë shtetas amerikanë.
Sipas tyre, “në Francë, të pasurit janë në pozita jashtëzakonisht të favorshme. Billionerët në shkallë globale zotërojnë pasuri të barabartë me 14% të PBB-së botërore, ndërsa në Francë, pasuritë e miljarderve përfaqësojnë thuajse 30% të PBB-së kombëtare.”
Një taksë minimale e shprehur si përqindje mbi pasurinë është, sipas tyre, një mënyrë efektive për të luftuar shmangien fiskale, pasi i kap të gjitha format e optimizimit tatimor.
Kjo taksë do të ndikonte kryesisht ata që janë më të aftë të strukturojnë pasuritë e tyre në mënyrë që të shmangin tatimet.
Ekonomistët përshëndesin gjithashtu diskutimet në nivel ndërkombëtar dhe iniciativën e G20 për vendosjen e një takse minimale globale prej 2% mbi pasurinë e miljarderve, një propozim që u refuzua vitin e kaluar.
Sidoqoftë, ata theksojnë: “Lëvizja ndërkombëtare ka nisur. Nuk ka arsye për të pritur një marrëveshje globale, përkundrazi, vendet duhet të marrin hapa konkrete dhe të japin shembullin, siç bëri Franca në vitin 1954 me futjen e TVSH-së.”
Në qershor, Asambleja Kombëtare në Francë hodhi poshtë të ashtuquajturin amendament Zucman, i cili merr emrin nga ekonomisti francez Gabriel Zucman, përkrahës i një takse globale mbi miljarderët. Propozimi parashikonte vendosjen e një takse 2% mbi qytetarët me pasuri mbi një miliard euro.
Amendamenti, i cili fillimisht kishte marrë miratimin në Asamble, synonte një formë të re kontributi që do të prekte pasuri mbi 100 milionë euro, me qëllim që super të pasurit të mos paguanin më pak se 2% të pasurisë së tyre në taksa, duke frenuar kështu praktikat e shmangies dhe manipulimit të detyrimeve tatimore.
Propozimi ndezi një debat të fortë mes ekonomistëve që e mbështesin këtë masë si të nevojshme për barazi sociale dhe atyre që e kundërshtojnë fuqishëm si një ndërhyrje e tepruar në lirinë ekonomike.
