Irani dëbon gratë afgane
Irani po përshpejton dëbimin masiv të afganëve, përpara një afati të vendosur për largimin e 4 milion emigrantëve. Mijëra gra të vetme, të cilat kishin ndërtuar jetë në Iran, po kthehen me forcë drejt një realiteti të errët nën regjimin represiv të Talibanëve. Pa shtëpi, pa të drejta dhe pa mbështetje, ato përballen me dhunë, etje dhe përjashtim total.
Nën temperature përvëlues prej 52 gradësh, me foshnja në krah dhe çanta bosh, mijëra gra afgane po kthehen me forcë nga Irani drejt një vendi që nuk i pranon më, Afganistanit të kontrolluar nga talibanët.
Vetëm në muajin e fundit, më shumë se 250 mijë prej tyre janë dëbuar. Mes tyre janë gra të vetme të cilave nën ligjin taliban të ardhur në pushtet në 2021, u ndalohet të punojnë, udhëtojnë, apo të dalin në publik pa një burrë që i shoqëron.
Sahar, 40 vjeçare, ishte emigrante prej më shumë se një dekade në Iran. Ajo kishte ndërtuar një jetë me punë të ndershme si rrobaqepëse. Por një natë, forcat iraniane e nxorën jashtë kampit ku jetonte me fëmijët.
“Nuk arrita as t'u paketoja rrobat. Erdhën në mes të natës. I luta të më jepnin vetëm dy ditë kohë për të mbledhur gjërat e mia. Por ata nuk më dëgjuan. Na hodhën jashtë si plehra”, deklaroj një grua afgane.
Në autobusët që i çojnë drejt kufirit, gratë përballen me ngacmime, pagesa të detyruara për ujë apo ushqim, dhe shpërfillje të plotë nga autoritetet.
Shumë mbërrijnë pa dokumente, pa para dhe pa asnjë mundësi për të vazhduar rrugën drejt qyteteve të tyre.
Organizatat ndërkombëtare ofrojnë ndihmë minimale në kufi. Por pas kufirit është errësira e një regjimi që nuk sheh vlerë në jetën e një gruaje të vetme.

