La Manshi/ Rriten tensionet mes emigrantëve dhe policisë franceze
Në vijën bregdetare veriore të Francës, tensionet mes autoriteteve dhe emigrantëve janë rritur ndjeshëm, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia franceze ka tentuar ti ndalojë duke shkatërruar varkat e gomës me emigrantë në bord, duke i hedhur ata në ujë dhe duke i kthyer pas në tokë, por as kjo nuk ka funksionuar.
Pamjet e siguruara nga mediet tregojnë oficerë që ndërhyjnë drejtpërdrejt në det për të penguar lundrimet e rrezikshme.
Në këtë rast, policia përdori thika për të shpuar varkat dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur emigrantët. Disa prej tyre u hodhën në det, ndërsa të tjerë tentuan të mbrojnë varkën duke bërtitur “Jo! Jo!”.
Emigrantët jetojnë në kampe të improvizuara, pa ujë dhe në kushte të vështira.
Ministria e Brendshme Franceze ka mohuar se ka urdhëruar shkatërrimin sistematik të varkave, por konfirmon se oficerët kanë vepruar për të shpëtuar jetë, duke ndërhyrë kur varkat janë në rrezik.
Qeveria britanike, e cila po financon pjesërisht operacionet ka përshëndetur këtë qasje më të ashpër.
Nga ana tjetër, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe sindikatat e policisë në Francë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e emigrantëve dhe vetë oficerëve.
Rreth 19,982 persona kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kishin bërë kalimin e rrezikshëm deri në fund të qershorit.

