VIDEO/ Vullkani Laki Laki, në Indonezi, shpërthen sërish

Vullkani Laki Laki në Indonezinë lindore ka shpërthyer fuqishëm, duke lëshuar hi dhe material vullkanik në një lartësi prej 18 kilometrash dhe duke shkaktuar rrjedhje lave deri në 5 kilometra. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar për banorët dhe trafikun ajror.

Vullkani Lewotobi Laki Laki, në Indonezinë lindore, ka shpërthyer sërish të hënën, duke ngritur një re të dendur hiri dhe material vullkanik në 18 kilometra lartësi, shpërthimi i tij më i fuqishëm që nga nëntori 2024.

Agjencia Gjeologjike e Indonezisë raportoi se shpërthimi shkaktoi re të nxehta përvëluese të përziera me llavë dhe shkëmbinj, të cilat zbritën deri në 5 kilometra poshtë shpateve të vullkanit.

Dronët e dërguar në zonë regjistruan llavë aktive në krater, duke konfirmuar lëvizje të forta magmatike që lidhen me aktivitet të brendshëm sizmik.

Vullkani ka qenë në nivelin më të lartë të alarmit që nga muaji i kaluar, dhe ndonëse nuk janë raportuar viktima deri më tani, autoritetet paralajmërojnë për rrezik të shtuar.

“Shpërthime të kësaj shkalle rrisin ndjeshëm rrezikun për fluturimet ajrore, si dhe për komunitetet që jetojnë pranë vullkanit,” thonë zyrtarët.

Për këtë po shqyrtohet zgjerimi i zonës së rrezikut,evakuimi i mundshëm i fshatarëve dhe ndalimi i aktiviteteve turistike pranë zonës. Ky është shpërthimi i tretë i Lewotobi Laki Laki në më pak se një vit.