Në kërkim nga Italia, arrestohet në Kroaci 23-vjeçari shqiptar
Një 23-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nëpërmjet rrjetit “ENFAST” në Kroaci.
Policia njoftoi sot se “në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Kroacisë dhe FAST Italisë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, në territorin e Kroacisë, i shtetasit shqiptar A. T., 23 vjeç, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian”, njoftoi Policia.
Sipas Policisë, “ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë”.
