Kina udhëheq botën në metalet e rralla, por me një kosto të frikshme për vendin

Kina është prodhuesja kryesore në botë e metaleve të rralla, duke kontrolluar pothuajse të gjithë prodhimin global të disa prej tyre që janë të domosdoshëm për teknologjinë moderne dhe industrinë ushtarake. Por ky dominim ka ardhur me një kosto të rëndë mjedisore dhe shëndetësore për vendin.

Në veri të Kinës, për dekada me radhë, balta toksike nga përpunimi i mineraleve të rralla është hedhur në një liqen artificial me sipërfaqe prej rreth 10 kilometrash katrorë. Ndërkohë në jug të vendit, minierat kanë ndotur dhjetëra lugina të gjelbëruara, duke zhveshur kodrat deri në baltë të kuqe të zhveshur.

Kina ka toleruar për shumë vite dëme të mëdha mjedisore për të siguruar kontrollin mbi këtë industri strategjike, ndërsa vendet perëndimore ndaluan aktivitetin e minierave të tilla që në vitet 1990 për shkak të rregulloreve mjedisore më të ashpra.

Dëmi më i madh është përqendruar në qytetin industrial Baotou, në Mongolinë e Brendshme, afër shkretëtirës Gobi. Ky qytet me dy milionë banorë, i cilësuar si “kryeqyteti botëror i metaleve të rralla”, mban plagët e dekadave të ndotjes nga përpunimi i këtyre mineraleve.

Një nga zonat më të ndotura është diga Weikuang, një liqen balte i ndërtuar që në vitet 1950, pa një shtresë mbrojtëse nëntokësore. Gjatë dimrit dhe pranverës, balta thahet dhe krijon pluhur toksik që përhapet në ajër, ndërsa në verë shiu përzien ujin me metale të rënda dhe thorium radioaktiv, që më pas përthithet në ujërat nëntokësore.

Studiues kinezë kanë paralajmëruar se sa më afër liqenit ndodhet një zonë, aq më i lartë është rreziku mjedisor dhe shëndetësor. Një raport i vitit 2009 nga Zyra e Menaxhimit të Rrezatimit në Baotou evidentonte se në minierën Bayan Obo, 130 kilometra në veri të qytetit, thoriumi radioaktiv po shkarkohej në mjedis në formën e mbetjeve, ujërave të zeza dhe pluhurit.

Që në vitin 2003, studime të tjera kanë raportuar dëmtime në zhvillimin mendor të fëmijëve në Baotou, për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes industriale. Edhe në vitin 2017, analizat kanë treguar prani të dëmshme të elementëve të rrallë në urinën e fëmijëve.

Miniera e hapur Bayan Obo prodhon shumicën e metaleve të rralla “të lehta” si lantani, që përdoret në rafinimin e naftës, dhe të “mesme” si samariumi për magnetët e avionëve luftarakë dhe raketave. Që prej prillit, Kina ka ndaluar eksportin e samarit dhe ka kufizuar eksportet e metaleve të rralla “të rënda” që nxirren në Longnan, në jug të vendit.

Për vite me radhë, minierat e paligjshme në jug të Kinës kanë derdhur acid dhe amoniak në lumenj, duke helmuar fushat me oriz. Vetëm pas një fushate shtetërore në vitet 2010-2011, shumë prej tyre u mbyllën.

Këshilli i Shtetit Kinez, në një raport të vitit 2012, e pranoi se: “Nxjerrja e tepruar e metaleve të rralla ka sjellë rrëshqitje toke, bllokim të lumenjve, ndotje të rëndë dhe aksidente të mëdha, duke dëmtuar rëndë shëndetin e njerëzve dhe ekosistemet.”

Gjatë një vizite në Baotou në vitin 2010, u raportua se rafineritë punonin në kushte primitive dhe banorët afër kishin probleme të shumta shëndetësore. Ajri ishte i mbushur me smog dhe kishte një shije të hidhur metalike.

Në një rikthim në qershor të këtij viti, u vu re se janë bërë disa përmirësime: argjinatura rreth liqenit është përforcuar dhe është shtuar një kanal mbrojtës për të kapur rrjedhjet. Lagjja e banuar pranë liqenit është zhvendosur në një zonë më të pastër, ndërsa vendin e saj e kanë zënë magazina industriale.

Megjithatë, ndotja nga pluhuri i liqenit mbetet një sfidë. Në përpunimin e metaleve të rralla përdoret acid për të ndarë përbërësit kimikë, proces që çliron gjithmonë thorium radioaktiv. Në Perëndim, ky material ruhet në depozita të mbrojtura, por në Baotou, për dekada me radhë, është hedhur pa kriter në liqen.

Në vitin 2015, autoritetet në Mongolinë e Brendshme deklaruan se rafineritë kanë nisur të përpunojnë mbetjet përpara se t’i derdhin në liqen, por nuk u dhanë detaje për menaxhimin e thoriumit.

Për krahasim, Bashkimi Europian pas viteve ’90 shpenzoi afro një miliard euro për të ndërtuar një strukturë të mbrojtur për mbetjet radioaktive nga një rafineri në Estoni, një praktikë që nuk është ndjekur në Kinë për shkak të volumit të madh të mbetjeve.

Ndërkohë, autoritetet kineze kanë shtuar censurën mbi ndotjen nga industria e metaleve të rralla. Edhe pse mediat raportuan dikur për ndalimin e kullotës në mijëra hektarë afër Baotou, pasi kafshët vdiqën nga pluhuri toksik, sot ky informacion është pothuajse i pazbulueshëm në internetin kinez.

Kontrolli mbi industrinë është i ndërlikuar. Ndërsa qeveria provinciale ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen mjedisore, ajo është gjithashtu pronare e kompanisë gjigante Baogang Group, e cila menaxhon minierat dhe rafineritë në Baotou dhe ka qenë pjesë e kompleksit ushtarak-industrial që nga epoka e Mao Ce Dunit.

Gjatë vizitës së fundit në qershor, gazetarët u ndaluan nga forca sigurie të Baogang dhe policia vendase, dhe u mbajtën për dy orë me pretendimin se diga Weikuang është “sekret tregtar”.

Në Longnan, pranë zonave të prodhimit të metaleve të rralla “të rënda”, gjatë një vizite në prill u panë disa përmirësime, si shtresa mbrojtëse në liqenet e mbetjeve. Por një përrua pranë minierave më të vogla rridhte në ngjyrë portokalli të ndezur dhe flluska misterioze dilnin nga sipërfaqja — shenjë se ndotja mbetet një problem serioz.