Në kohën e inteligjencës artificiale, të rinjtë kinezë kërkojnë përgjigje te “falli”

Në epokën e përmirësimit personal dhe obsesionit ndaj vetes, njerëzit nuk kanë pasur kurrë më shumë mundësi për të kërkuar udhëzime, se sa sot. Dikur, ata që ndiheshin të pasigurt ose të shqetësuar mund të pyesnin motorët e kërkimit, kurse sot fare lehtë mund të bisedojnë me Inteligjencën Artificiale si ChatGPT, ose me DeepSeek nëKinë dhe të gjejnë përgjigje për çdo gjë që i mundon.

Megjithatë, shumë të rinj në Kinë po zgjedhin një rrugë tjetër, larg inteligjencës e smartphone-ve.

“Ngushëllimi” i tyre qëndron pikërisht tek parashikimet e fatit dhe praktikat e lashta shpirtërore. Në vitet e fundit, në qytetet kineze janë shfaqur “bar-këshillimore”, ambiente që ofrojnë pije dhe ushqime të lehta, por edhe seanca me ‘xuanxue’, një formë e misticizmit tradicional. Kjo prirje është kthyer në një arratisje për shumë të rinj në një kohë kur ekonomia kineze ndodhet disi në krizë, çmimet janë në rritje dhe ndihma profesionale është shpesh e papërballueshme.

Në një kulturë të ngulitur thellë në besime Taoiste, Budiste dhe popullore, që kanë mbijetuar përkundër përpjekjeve të qeverisë për të zhdukur besëtytnitë, kthimi drejt së padukshmes duket si një rrugë e natyrshme për shumë njerëz.

Këtë javë, vendosa ta përjetoj vetë këtë përvojë. Vizitën time e bëj në Qie Le, një bar i sapohapur në lagjen e pasur Chaoyang të Pekinit. Është e enjte në mbrëmje dhe lokali është i qetë, i dekoruar me simbole Taoiste dhe perde të tejdukshme, krijon atmosferën ideale për të pasur gjithë vëmendjen e fallxhores.

Ajo quhet Wan Mo, 36 vjeç, e veshur me një xhaketë tradicionale të bardhë në stilin Tang dhe një qëndrim që të shtyn të jesh serioz. Specialiteti i saj është qiuqian, një praktikë shekullore që përfshin tundjen e një ene cilindrike me shkopinj druri që mbajnë simbole dhe numra. Pasi bie një shkop, fallxhorja interpreton mesazhin. Praktika e qiuqian daton që nga dinastia Jin (266–420 e.s.) dhe ka mbijetuar përgjatë shekujve, nga luftërat te Revolucioni Kulturor dhe deri te epoka e teknologjisë së avancuar.

Pyetja ime e parë? “A do të më zëvendësojë AI në punë?”

“Përdor të dyja duart,” më thotë Ëan Mo prerazi. “Përqendrohu.” Ajo më paralajmëron se, si i huaj, lidhja ime me shkopinjtë mund të mos jetë aq e thellë sa ajo e një kinezi.

Pas disa sekondave përqendrimi dhe tundjesh, bien dy shkopinj. Ëan Mo i shikon me kujdes.

“Ky i pari tregon se, me kalimin e kohës, AI do të ndikojë në punën tënde. Edhe pse je i aftë, nuk mund të konkurrosh me përmasën e saj. Nëse ti shkruan një artikull, ajo mund të shkruajë dhjetë,” thotë ajo. “Ndikimi do të jetë i pashmangshëm.”

Shkopi i dytë, sipas saj, jep një afat kohor: “Nuk do të ketë ndikim të madh në 1 deri në 3 vitet e ardhshme. Por pas kësaj, AI do të bëhet një forcë dominuese.”

Jo pikërisht qetësimi shpirtëror që kërkoja. Megjithatë, vendos të bëj edhe një pyetje tjetër dhe porosis një pije tjetër rregulli është: një pyetje për çdo pije.

Pas një pushimi të shkurtër për cigare, Wan Mo kthehet dhe unë marr guxim për të bërë pyetjen e dytë: “A do të marr një rritje rroge?”

Shkopi që bie tregon një përgjigje të zymtë: “Nuk ka shumë gjasa për momentin. Tregon ndryshim, por jo të menjëhershëm. Ka shpresë, por kërkohen disa përshtatje personale.”

Çfarë lloj përshtatjesh? Wan Mo, pa insistuar për një pije tjetër, shpjegon: “Për shembull, ky byzylyk që kam është për tërheqjen e pasurisë. Është prej materialesh natyrore. Rekomandojmë të vishni diçka të tillë. Mund të sjellë fat financiar, por më e rëndësishme është komunikimi me eprorët.

Nuk më bëhet e qartë nëse nënkupton eprorët shpirtërorë apo ata në redaksi. Por koha ime përfundon aty.

Një mik i Wan Mo më thotë se shumica e klientëve vijnë me të njëjtat pyetje: si të pasurohen, të qëndrojnë të shëndetshëm, të gjejnë dashurinë. Ndërsa largohem për në shtëpi, ndjej se kam marrë përgjigje të zymta për të paktën njërën nga to dhe është bërë vonë për të pyetur për të tjerat.