Rikthehet pas më shumë se një shekulli zhytja historike për parisienët
Parisienët e nisën këtë të shtunë me një zhvillim historik me zhytjen e parë pas më shumë se 100 vitesh në lumin Sena.
Qytetarët shfrytëzuan temperaturat e larta për të provuar notimin në Sena pas një përpjekjeje të gjatë institucionale për të rikthyer pastërtinë dhe përdorimin publik të ujërave të lumit.
Punonjës të bashkisë ndërmorën pastrimin përfundimtar të sipërfaqes ujore, ndërkohë që qytetarët e pajisur me peshqirë dhe mjete sigurie pritën në radhë për të realizuar një zhytje historike në ujërat e rinovuara të lumit.
Ulërima dhe britma gëzimi jehonin nëpër brigjet e lumit ndërsa notarët e parë hynin në ujin e gjelbër smeraldi.
Notimi u lejua veç në zona të tilla si segmentet pranë kullës Eiffel dhe Ile Saint Louis të cilat janë ndërtuar pikërisht për këtë qëllim. Zbatimi i protokolleve të forta të sigurisë, përfshirë përdorimin e gomave shpëtuese dhe praninë e stafit të specializuar, ishte i dukshëm në të gjithë perimetrin e notimit.
Ky zhvillim është rezultat i një investimi madhor prej 1.4 miliardë eurosh për pastrimin e ujërave, i ndërmarrë në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike të vitit të kaluar. Autoritetet komunale dhe mjedisore kanë deklaruar se cilësia e ujit në Senë përmbush standardet evropiane.
Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ishte gjithashtu e pranishme në këtë aktivitet simbolik dhe shfaqi besimin e saj në përparimet e arritura duke mbajtur një shishe transparente me ujë lumi përpara kamerave.
Pavarësisht atmosferës pozitive dhe pjesëmarrjes entuziaste të qytetarëve, reagimet nuk munguan edhe nga zërat skeptikë. Disa banorë, përballë historikut të ndotjes urbane të lumit, shprehën hezitimin e tyre për t’u futur në ujë.

