“Matra G2G”, Mazniku: Forcojmë kapacitetet e bashkive për shërbime më cilësore për qytetarët
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore zhvilloi në Tiranë aktivitetin zyrtar të nisjes së projektit Matra G2G, “Drejt qeverisjes lokale demokratike: Shqipëria dhe Holanda”, një iniciativë dypalëshe që synon të forcojë kapacitetet e qeverisjes vendore në Shqipëri, përmes rritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe me llogaridhënie.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se me këtë projekt, synohet forcimi i kapaciteteve të pushtetit vendor për shërbime më transparente, gjithëpërfshirëse dhe më cilësore për qytetarët.
Mazniku u shpreh se me këtë projekt hidhet një tjetër hap i rëndësishëm drejt integrimit europian, ku 70% e legjislacionit zbatohet në nivel vendor.
Takimi u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, me prezencë të Ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, përfaqësues të MEKI, AKSHI, ASPA, SHKBSH, SHKQSH, përfaqësues të bashkive Elbasan, Kavajë dhe Korçë, si dhe projekteve ndërkombëtare me fokus në pushtetin vendor.
Sipas ministrit Mazniku, projekti synon të mbështesë ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe funksionale përmes forcimit të institucioneve vendore dhe ngritjes së kapaciteteve në nivel lokal, me fokus tek ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, veçanërisht për gratë dhe grupet më të cenueshme të shoqërisë.
“Zbatimi i projektit do të përfshijë trajnimin e trajnerëve, organizimin e 24 seminareve në të gjitha bashkitë e vendit, si dhe mbështetje praktike në katër bashki pilot: Shkodër, Kavajë, Elbasan dhe Korçë. Fushat kryesore ku përqendrohet ndërhyrja përfshijnë qeverisjen digjitale, zhvillimin ekonomik lokal, integritetin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Projekti zbatohet nga një konsorcium i përbërë nga Akademia e Hagës për Qeverisje Lokale, Helvetas Shqipëri dhe VNG International, me financim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2028.
Ai synon të nxisë përmirësime të qëndrueshme në administratën vendore dhe të rrisë besimin e qytetarëve te institucionet publike.
