"4 korriku" dhe "11 maji"/ Berisha: SHBA kremton sot pas fitores epike ndaj Ajetollahëve! Ja pamjet skandaloze të farsës elektorale nga Kruja

Kryedemokrati Sali Berisha nga foltorja e selisë blu uroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën e 294 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

URIMI I BERISHËS

Së pari, do ta filloj me një urim të përzemërt për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e kombeve tjera në tërësi, dhe lirinë e kombit shqiptar në veçanti. Pra, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një urim për qytetarët, qeverinë dhe presidentin Donald Trump, të këtij vendi.

SHBA-të kremtojnë këtë përvjetor pas një fitoreje epike, të jashtëzakonshme, mbi regjimin obskurantist të Ajetollahëve. Fitore me të cilën flamuri i këtij vendi u ngrit përsëri, pas rënies në gjysmështizë në Kabul. Dhe, kjo kishte një vlerë shumë të madhe. Ishte një këputje e nyjës gordiane.

Ata të cilët nuk kanë kuptuar përmasat e kësaj fitoreje, nuk janë në nivelin e duhur politik, për të mos thënë që kanë ndienja pro-obskurantizmit. Një armë bërthamore në duart e Ajetollahëve do të ishte një rrezik madhor për të gjithë Lindjen e Mesme, dhe për të gjitha vendet e tjera.

Më pas Berisha vijoi me denoncimin e asaj që ai e cilëson si farsa elektorale e 11 majit në zgjedhjet në Shqipëri.

DENONCIMI I “FARSËS” SË 11 MAJIT

Tani, rikthehemi tek problemi themelor, shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqitparët. Farsa elektorale 11 maj, 2025. Në themel te shkretimit të Shqipërisë, të përgjysmimit në 10 vite të popullatës së saj.

Në themel të rritjes së madhe të varfërisë në këtë vend. Në themel të dominimit total të Shqipërisë nga kartelet e drogës dhe krimi, qëndron mungesa e votës së lirë të shqiptarëve me një ndërthurje të këtyre faktorëve, ndaj dhe PD është e vendosur të paraqesë para shqiptarëve të gjithë farsën e shëmtuar që ndodhi më 11 maj, me besimin e plotë se, do të jetë një motiv i madh për ta për t’u ngritur dhe rivendosur me çdo çmim dhe me çdo kusht votën e lirë në Shqipëri, për t’u përballur me narkoshtetin.

Sot, këtu kemi video, nga një seri qendrash të Bashkisë së Krujës, ku ju do të shihni se si u votua në këtë bashki, ndërkohë që, policia politike e patronazhistëve kontrollonte në mënyrë anti-ligjore, anti-kushtetuese votën e qytetarëve, ose qytetarët votonin kolektivisht, ose votonin duke patur kamerat mbi kokë, në mënyrë që t’u lexohej vota. Kjo është fshehtësia e votës.