Revolucion në Real Madrid, largohen të gjithë trajnerët nga futbolli te basketbolli

Në Madrid po fryjnë erëra të reja. Real Madridi ka nisur një revolucion të vërtetë në strukturat e veta sportive, duke larguar njëkohësisht të gjithë trajnerët e ekipeve kryesore, nga futbolli te basketbolli.

Pas një sezoni të lodhshëm dhe plot zhgënjime, klubi ka zgjedhur t’i japë fund një epoke dhe të nisë një kapitull të ri.

Gjithçka nisi më 23 maj me lamtumirën e Carlo Ancelotti-t, trajneri më të suksesshëm në historinë e klubit me 15 trofe.

Italiani e mbylli aventurën e dytë në “Bernabéu” me vetëm dy tituj gjatë sezonit të fundit (Superkupa Europiane dhe Kupa Interkontinentale), ndërsa në kompeticionet e tjera, La Liga, Champions League, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës, madrilenët mbetën duarbosh.

Tani Ancelotti ka marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit.

Përtej ekipit të parë, ka pasur ndryshime të mëdha edhe në strukturat e tjera:

Raúl González, legjendë e klubit dhe trajner i Castilla-s për gjashtë sezone, është larguar me dëshirë të vet.

Ai fitoi UEFA Youth League në vitin 2020 dhe i çoi të rinjtë deri në një finale playoff për ngjitje në Segunda.

Alberto Toril, trajneri i skuadrës femërore, u largua pas katër vitesh.

Edhe pse nuk fitoi asnjë trofe, ai e vendosi ekipin në nivelet më të larta, me katër pjesëmarrje në Champions dhe tri herë radhazi nënkampione pas Barcelonës.

Chus Mateo, trajner i ekipit të basketbollit, u shkarkua pavarësisht se fitoi titullin e fundit në Liga ACB. Eliminimi në playoff-et e Euroligës ishte vendimtar për fatin e tij.

Me gjashtë trofe në total, ai largohet si trajneri i katërt më i titulluar në historinë e seksionit të basketbollit të Realit.

Me këto katër largime, Real Madrid bën një "reset" të plotë. Klubi mbretëror kërkon të rikthehet në majat e futbollit dhe sportit evropian, por këtë herë, me një vizion të ri, një staf të ri dhe ambicie të paprekur. Rindërtimi ka nisur.