FOTO+VIDEO/ Në kërkim të kandidatit, Rama vijon edhe sot takimet me deputetët e Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe mëngjesin e sotëm me mbledhjen e deputetëve të zgjedhur të Tiranës.
Mësohet se takimi po zhvillohet në selinë rozë, ku kryesocialisti ka thërritur të zgjedhurit e kryeqytetit për të mobilizuar jo vetëm strukturat e partisë për të qenë sa më aktive në terren me takimet me qytetarët.
Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare deri më tani, duket se Rama ka nisur të mendojë për zgjedhje të parakohshme edhe në Bashkinë e Tiranës, përveç atyre që do të mbahen në 3 bashki të tjera, Beratit, Matit dhe Tepelenës, ku kryebashkiakët respektivë dhanë dorëheqjen për t’u kandiduar si deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ndërkaq, pasditen e djeshme rreth 30 minuta do të zgjaste takimi i Edi Ramës me deputetët e zgjedhur të Tiranës dhe me përfaqësues të bashkisë së Tiranës, takim i mbajtur në ambientet e një hoteli në kryeqytet.

Në mbledhje ishin të pranishëm deputetët e zgjedhur të 11 majit, drejtorët e bashkisë Tiranë dhe administratorët e njësive.
E pranishme ishte edhe kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, si dhe Arbjan Mazniku e Endrit Braimllari.
Që prej arrestimit të Erion Veliaj, Edi Rama është bërë “de facto” edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, ashtu siç e ka pranuar edhe vetë.
Burime për mediat nga mbledhja bëjnë me dije se Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të jenë më shumë të pranishëm në terren për evidentimin e problematikave dhe koordinimin me pushtetin vendor, me strukturat e bashkisë për gjetjen e zgjidhjeve.
Kjo mbledhje mund të merret si një paralajmërim edhe për zgjedhje të parakohshme lokale në Tiranë.
VIDEO - Rama mblodhi dje edhe deputetët e zgjedhur të Tiranës dhe përfaqësues të bashkisë

