Afrikë/ Shpërthimi i transformatorit shkakton tragjedi në shkollë, 29 nxënës humbin jetën

Një shpërthim i një transformatori elektrik në shkollën e mesme "Barthelemy Boganda" në kryeqytetin e Republikës Qendrore të Afrikës shkaktoi një panik masiv, ku humbën jetën të paktën 29 nxënës dhe u plagosën mbi 250 të tjerë.

Ngjarja ndodhi të mërkurën, gjatë rikthimit të energjisë pas një defekti teknik.

Shpërthimi tronditi ndërtesën dhe shkaktoi një stampede, ndërsa rreth 5,000 nxënës po jepnin provimet e arsimit të lartë në atë moment.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shumica e viktimave përfshirë 16 vajza humbën jetën në vendngjarje, ndërsa të tjerët vdiqën më vonë në spital.

Mbi 260 nxënës po trajtohen në spitale të ndryshme.

Disa nxënës humbën jetën pasi u hodhën nga ndërtesa për të shpëtuar nga kaosi, ndërsa të tjerët u shtypën në rrëmujën pranë hyrjes së katit të sipërm të shkollës.

Banorët lokalë shprehën zemërimin e tyre ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për neglizhencë në mirëmbajtjen e transformatorit elektrik.

Zyrtarë që mbërritën në vendngjarje u pritën me objekte nga turma e zemëruar.

“Ky incident tragjik është pasojë e mungesës së mirëmbajtjes,” tha Gédéon Cyr Ngaïssé, kryetar i shoqatës së prindërve të shkollës, i cili kërkoi nisjen e një hetimi të plotë për ngjarjen.