PËRPJEKJE PËR ARMËPUSHIM! Shpresë e brishtë në Gaza, Trump: Po bëhej përparim i madh
“Ndërmjetësit në Gaza intensifikojnë përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve, por palët mbeten larg dakordësisë. Sulmet izraelite dhe vdekjet e civilëve vazhdojnë, ndërsa tensionet ndërkombëtare janë në rritje.”
Ndërkohë që shpresat për paqe mbeten të brishta, ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë rritur përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës. Një zyrtar i lartë i Hamasit I ka thwn BBC-në se bisedimet janë intensive, por nuk ka ende ndonjë propozim të ri konkret.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi nga Brukseli se po bëhej, siç u shpreh ai, "përparim i madh", pas përfundimit të luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit. Ai shtoi se një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit është "shumë afër".
Por realiteti në terren është i zymtë. Të paktën 45 palestinezë u vranë të mërkurën nga bombardimet izraelite, përfshirë civilë që prisnin ndihmë ushqimore.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se shtatë ushtarë u vranë nga një bombë në Khan Younis, përgjegjësinë për të cilën e mori Hamasi.
Furnizimi me ndihma humanitare mbetet një tjetër krizë. Një sistem i ri i quajtur GHF po shpërndan ndihma jashtë kornizës së OKB-së, por është kritikuar për shkak të viktimave civile pranë qendrave të tij dhe mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar.
Më shumë se 550 njerëz janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma që prej fund majit. UNICEF dhe grupet humanitare paralajmërojnë për një katastrofë të afërt me mbi gjysmë milioni persona në rrezik urie.
Në të njëjtën kohë, sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar, duke lënë të vdekur gra, fëmijë dhe familje të tëra në kampet e refugjatëve.
Presioni po rritet edhe në Izrael. Kryeministri Netanyahu po përballet me kritika të ashpra nga partnerët e koalicionit për dështimin në kthimin e pengjeve. Deputetët pyesin: për çfarë po vazhdon lufta?
“Ne nuk po kërkojmë shumë,” thotë një banor i Khan Younis. “Vetëm të jetojmë, pa u vrarë në rradhë për një kafshatë bukë.”

