Ish-shefi i spiunazhit të Venezuelës pranon fajësinë për akuzat për narkoterro*izëm
Ish-drejtuesi i inteligjencës ushtarake të Venezuelës, Hugo Carvajal, i njohur si “El Pollo” ose “Pula”, është deklaruar fajtor për akuza të rënda për trafik droge dhe narkoterrorizëm në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet amerikane e akuzojnë 65-vjeçarin si pjesë të një organizate të fuqishme të kontrabandës së drogës të udhëhequr nga zyrtarë të lartë ushtarakë të Venezuelës, të njohur si “Cartel de los Soles”.
Carvajal, dikur një figurë e frikshme e shërbimeve sekrete dhe aleat i ngushtë i liderit të ndjerë Hugo Chávez, u arrestua në një apartament në Madrid, ku fshihej i maskuar me mustaqe dhe paruke të rreme, përpara se të ekstradohej në SHBA.
Pranimi i fajësisë shënon një kthesë të madhe në sagën e Carvajal, i cili për dy vjet me radhë i kishte mohuar akuzat.
Prokurorët besojnë se ai ka hyrë në një marrëveshje për dënim të reduktuar në këmbim të dhënies së informacionit të ndjeshëm për regjimin e Nicolás Maduros, kundër të cilit kishte dalë hapur që prej vitit 2017.
Sipas drejtësisë amerikane, Carvajal bashkëpunoi me rebelët kolumbianë të FARC, duke u siguruar armë dhe mbrojtje për dërgesat e kokainës drejt SHBA-së në shkëmbim të miliona dollarëve.
“Për vite me radhë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën kokainën si armë, duke e përmbytur Nju Jorkun dhe qytete të tjera me helm”, deklaroi zyra e Prokurorit për Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Akuzat ndaj tij përkojnë me akuzat e mëhershme që SHBA ka ngritur ndaj vetë presidentit Maduro, të cilin e konsideron përgjegjës për narkoterrorizëm.
Megjithatë, Maduro i ka quajtur këto akuza si pjesë të një komploti amerikan për të kontrolluar rezervat e naftës në Venezuelë dhe për ta rrëzuar nga pushteti.
Tashmë, drejtësia amerikane pret që “El Pollo” të flasë — dhe ajo që do të zbulojë, mund të ketë pasoja të gjera politike për Caracas.
