Rusia i bën thirrje Iranit të vazhdojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore

Rusia dëshiron që Irani të vazhdojë bashkëpunimin e tij me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, tha sot Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Qëndrimi i Moskës vjen një ditë pasi parlamenti i Iranit miratoi një projektligj për të pezulluar bashkëpunimin e vendit me IAEA-n, mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, pas një lufte 12-ditore me Izraelin, gjatë së cilës u kryen sulme ajrore izraelite dhe amerikane kundër objekteve bërthamore iraniane.

“Ne duam që bashkëpunimi midis Iranit dhe IAEA-s të vazhdojë, ne duam që të gjithë të respektojnë deklaratën e përsëritur të Iranit se ky vend nuk ka dhe nuk do të ketë ndërmend të pajiset me armë bërthamore”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, tha dje se përparësia kryesore e inspektorëve është të kthehen në objektet bërthamore të Iranit për të vlerësuar efektet e sulmeve amerikane dhe izraelite dhe për të kontrolluar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.