Trump mohon që Irani të ketë larguar uraniumin para sulmeve ajrore amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mohuar zërat se Irani ka larguar uranium të pasuruar nga objekti bërthamor në Fordo përpara sulmeve ajrore amerikane.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Trump u shpreh: "Asgjë nuk është nxjerrë nga objekti. Do të kërkonte shumë kohë, do të ishte tepër e rrezikshme dhe shumë e rëndë për t’u lëvizur!"

Presidenti sugjeroi gjithashtu se automjetet dhe kamionët e vegjël të parë në vendngjarje i përkisnin punëtorëve të betonit që po përpiqeshin të mbyllnin hyrjet e boshtit të ventilimit të objektit.

Zëvendëspresidenti dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e mbështeti deklaratën e Trump gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se nuk ka asnjë provë që Irani të ketë zhvendosur uraniumin para sulmit.

Më herët, gjenerali Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, konfirmoi se objektivi i sulmit ajror në Fordo ishte pikërisht boshti i ventilimit i impiantit nëntokësor, ku dyshohet se mbahej uraniumi i pasuruar.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur raportet e inteligjencës amerikane sugjerojnë se Irani mund të ketë tentuar të fshehë një pjesë të materialit bërthamor përpara goditjeve, por deri tani nuk ka prova të qarta për këtë.