“Plazh i lirë”, hiqen 69 komplete çadrash dhe shezlongësh në Vilë Bashtovë

Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Sipas njoftimit të Policisë, “gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Vilë Bashtovës u hoqën dhe u sekuestruan 69 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga shtetasi A. A”.

“Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 52 vjeç, banues në Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.