Dita Ndërkombëtare e Detarit, aktivitete të shumta në Portin e Durrësit
Në Portin e Durrësit po zhvillohen aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Detarit dhe 100-vjetorin e Flotës Detare Shqiptare, një ngjarje me rëndësi kombëtare që nderon kontributin e jashtëzakonshëm të detarëve ndër vite.
Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore në sheshin “Marinari”, vijuan me homazhe pranë bustit të detarit, u zhvendosën në bordin e anijes ushtarake “Lissus” dhe më pas me sesione tematike mbi sigurinë detare, sfidat dhe të ardhmen e profesionit të detarit në Shqipëri.
Panelistë dhe përfaqësues nga forcat detare, institucionet akademike, sektori privat dhe organizatat ndërkombëtare po ndajnë ide e vizione për një të ardhme më të sigurt, të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse për detarinë shqiptare. Autoriteti Portual Durrës shpreh mirënjohjen për çdo detar që ka shërbyer dhe shërben me përkushtim.
Dita e Detarit u festua për herë të parë më 2011, duke pasuar kështu themelimin e kësaj dite në qershor të vitit 2010, në Manila të Filipineve, me rezolutën e pranuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Stërvitjes, Certifikimit dhe Ruajtjes për Detarët të vitit 1978.
Dita e Detarit tashmë është përfshirë në listën vjetore të kremtimeve të Kombeve të Bashkuara duke njohur kështu kontributin që japin detarët në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, shpesh me sakrifica të mëdha në jetën e tyre personale dhe të familjeve të tyre.
