VIDEO/ “Kërdi” me vjedhje biçikletash në trotuare, kapet hajduti në Tiranë, nis procedimi për shokun e tij

Policia e Tiranës ka identifikuar dy autorët e vjedhjes së 10 biçikletave dhe motopatinave, gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor, në lagje të ndryshme të kryeqytetit, gjatë natës.

Njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa tjetri është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Njoftimi i Policise Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas kallëzimeve nga disa qytetarë, për vjedhjen e biçikletave dhe monopatinave të tyre, në lagje të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2, për zbardhjen e tyre.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë e mundur zbardhja e 10 rasteve të vjedhjes së biçikletave dhe motomjeteve elektrike, të kryera gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor, nga shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili u vu në pranga, dhe F. T., i cili po ndiqet në gjendje të lirë.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.