Projektligji “Për Avokatin e Popullit”, institucioni ftesë organizatave të Shoqërisë Civile

Institucioni i Avokatit të Popullit është aktualisht në fazën përfundimtare të hartimit të projektligjit të ri “Për Avokatin e Popullit”, me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe përputhjen e tij me rekomandimet e Bashkimit Evropian, Parimet e Parisit dhe Parimet e Venecias.

Në një njoftim publik, Avokati i Popullit bën me dije se do të organizojë një tryezë të rrumbullakët diskutimi, ku vlerësohet i domosdoshëm kontributi i organizatave të shoqërisë civile, për të ndarë komente, sugjerime dhe mendime mbi draftin aktual të projektligjit.

“Pjesëmarrja juaj do të ndihmonte në përmirësimin e mëtejshëm të dokumentit dhe forcimin e rolit të institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim, ndërsa tryeza do të zhvillohet në datën 30 qershor.