“Liqeni 2025”, iniciohet plani operacional ndërkombëtar në Shkodër
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Njësia Speciale “DELTA” dhe Policia Kufitare e Malit të Zi, iniciuan sot një plan operacional multistrukturor, ndërkombëtar, i koduar “LIQENI 2025”, për patrullime intensive në hapësirën ujore të qarkut Shkodër dhe në kufirin tokësor Shqipëri-Mal i Zi.
Në këto patrullime të mbështetura nga FRONTEX, mori pjesë dhe Administrata e Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës.
“Objektivat kryesorë të planit operacional janë: Parandalimi i veprimtarive të paligjshme në hapësirën ujore, si trafikimi i lëndëve narkotike/armëve, kalimi i kundërligjshëm i kufirit dhe krimet kundër mjedisit; Rritja e parametrave të sigurisë për qytetarët dhe turistët; Forcimi i kontrollit në zonat kufitare; Identifikimi i pikave problematike në kufijtë tokësorë dhe ujorë; Shkëmbimi i informacionit operacional me partnerët rajonalë; Parandalimi dhe goditja e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, njoftoi Policia.
Kontrollet janë zhvilluar në zonat më të frekuentuara nga mjetet lundruese, në liqenin e Shkodrës, në lumin Buna, në pikat strategjike tokësore dhe ujore, si dhe në kufirin tokësor Shqipëri – Mali i Zi.
Gjatë fazës së parë të këtij plani operacional, ndër të tjera sipas policisë janë kontrolluar: Dokumentacioni i mjeteve lundruese; Pajisjet e sigurisë që kanë këto mjete; Respektimi i itinerareve të miratuara; Respektimi i rregullave të qarkullimit ujor.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Shkodër do të vijojë kontrollet në kuadër të planit operacional “LIQENI 2025”, gjatë gjithë sezonit veror.
“Ky nivel bashkëpunimi, është dëshmi e rëndësishme e angazhimin policor dhe bashkëpunimit shumë të mirë ndërinstitucional, në funksion të sigurisë së jetës së qytetarëve, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, si dhe të rritjes së besimit të qytetarëve/turistëve, te strukturat e Policisë”, njoftoi Policia.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë çdo veprimtari të dyshimtë, pranë njësive fizike të Policisë ose në numrin pa pagesë 112.
