Aksidenti me 3 të mitur në Tiranë/ Eksperti ngre alarmin: Nevojiten rregulla të qarta për përdorimin e monopatinave në rrugë
I ftuar në studion e "Ora News", eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini komentoi një aksident të rëndë që përfshiu tre fëmijë me monopatina në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke theksuar mungesën e rregullave të qarta për përdorimin e këtyre mjeteve në rrugët e qytetit.
"Dje u njoha me një aksident të rëndë i cili ndodhej në rrugën Bulevardi Dëshmorët e Kombit, është aksi kryesor i një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës, ku u përfshinë në aksident 3 fëmijë me monopatina dhe një drejtues mjeti.
Sigurisht pasojat ishin të rënda për jetën dhe shëndetin e fëmijëve por pati dhe impakt në opinionin publik pasi kemi të bëjmë me shëndetin e fëmijëve, të cilët për shkak të moshës së tyre nuk janë të përgjegjshëm përsa i përket rregullave të qarkullimit rrugor dhe përdorimit të monopatinave.
Situata në qytetin e Tiranës përsa i përket këtyre lloj mjetesh, të cilat janë futur kohët e fundit, është një situatë jo normale për arsye se nuk kemi rregulla të caktuara ose një udhëzim ose VKM e cila të përcaktoj specifikisht mënyrën sesi duhet të lëvizin këto lloj mjetesh në rrugë", u shpreh Qibini.
