Irlanda kërkon ulje të menjëhershme të tensioneve midis Iranit dhe Izraelit

Udhëheqësit politikë irlandezë kanë bërë thirrje për një ulje të menjëhershme të tensioneve midis Izraelit dhe Iranit dhe për rifillimin e bisedimeve diplomatike.

“Irani duhet ta bëjë të qartë se nuk do të vazhdojë me pasurimin e mëtejshëm të uraniumit”, tha kryeministri irlandez, Michael Martin.

Irani dhe Izraeli kanë goditur territorin e njëri-tjetrit për një javë, duke thelluar krizën në Lindjen e Mesme.

Izraeli tha se nisi sulmin për të parandaluar Iranin të zhvillonte armë bërthamore.

Irani ka këmbëngulur se programi i tij bërthamor është paqësor, por është i vetmi shtet jo i armatosur me armë bërthamore që pasuron uranium deri në 60%, shumë më tepër se nivelet e kërkuara për centralet – dhe një hap i shkurtër teknik larg niveleve të armëve prej 90%.

Pas sulmit me raketa në një spital në Izraelin jugor, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz tha se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “absolutisht nuk duhet të vazhdonte të ekzistonte”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet gjithashtu se po shqyrton përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – duke synuar një strukturë të pasurimit të uraniumit në Iran.

I pyetur se çfarë roli mund të luante Irlanda në konfliktin Izrael-Iran,  Martin tha se Irlanda dhe Bashkimi Evropian do të bënin thirrje për vetëpërmbajtje dhe ulje të tensioneve.

“Bota ka nevojë për stabilitet dhe paqe – dhe dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjen bërthamore me Iranin”, tha kryeministri për Radion RTE.

“Irani ka qenë një aktor i keq në Lindjen e Mesme për një kohë mjaft të gjatë në lidhje me mbështetjen e Hezbollahut, Hamasit, Huthëve – është një shtet teokratik autokratik”, theksoi ai.

“Mendoj se Irani duhet ta bëjë të qartë se nuk do të vazhdojë me pasurimin e mëtejshëm të uraniumit, apo të avancojë me zhvillimin e kapacitetit të bombës bërthamore”, shtoi ai.