Wadephul: Irani të tregojë vullnet serioz për të hequr dorë nga programi bërthamor
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i ka kërkuar Iranit të tregojë seriozitet më të madh në lidhje me heqjen dorë nga përdorimi jo-civil i programit të tij bërthamor – përpara negociatave evropiane për këtë çështje.
“Nëse ka një vullnet serioz dhe transparente nga ana e Iranit për të hequr dorë nga programi bërthamor – atëherë ekziston një shans real për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj lufte, dhe për këtë, çdo diskutim ia vlen”, tha Wadephul në një intervistë për transmetuesin publik MDR.
Wadephul, së bashku me ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë së Madhe, do të zhvillojë sot negociata me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në Gjenevë.
Diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas, pritet gjithashtu të marrë pjesë. Bisedimet e mëparshme nuk kanë qenë të suksesshme.
“Në fund të fundit nuk kemi parë seriozitet nga ana e Iranit, por përkundrazi një program pasurimi që shkon përtej një përdorimi të arsyeshëm civil”, tha ministri i Jashtëm gjerman.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës – jo vetëm që janë në dijeni të bisedimeve, por i mbështesin plotësisht ato – dhe për këtë arsye Irani tani duhet ta kuptojë se duhet t’i qaset këtyre diskutimeve me seriozitet dhe besueshmëri të re”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje se do të vendoste brenda dy javëve të ardhshme nëse SHBA-ja do t’i bashkohej Izraelit në luftën kundër Iranit.
Izraeli tha se sulmoi Iranin për ta parandaluar atë të ndërtonte një bombë bërthamore.
Ndaj, ministri i jashtëm u pyet nga revista Der Spiegel nëse Gjermania do ta ndihmonte Izraelin nëse sulmet e Iranit vazhdojnë dhe viktimat rriten.
“E paralajmëroj Teheranin për rrezikun e shkeljes së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përshkallëzimit të konfliktit. Askush nuk mund ta përjashtojë këtë mundësi. Izraeli do të mbështetet gjithmonë te Gjermania”, tha Wadephul – kur u pyet nga revista “Der Spiegel” nëse Gjermania do ta ndihmonte Izraelin nëse sulmet e Iranit vazhdonin dhe numri i viktimave rritej.

