Gjobë model për Manchester City, do paguajë 1 milion paundë për...

Mançester Siti do të jetë i detyruar të paguajë një gjobë relativisht të majmë prej rreth 1 milion paundë, pasi ka shkelur rregullat e ndeshjeve të kampionatit anglez me një sjellje që është bërë bezdisëse për shumëkënd.

Federata Angleze e Futbollit i ka vënë skuadrës së Pep Guardiolës këtë gjobë pasi ka konstatuar se ajo në mënyrë të vazhdueshme ka nisur ndeshjet me vonesë në startin e tyre apo në fillimin e pjesës së dytë, falë vonesave në daljen në fushë të ekipit.

Në këtë sezon janë konstatuar 9 raste të tilla, me klubin anglez që ka regjistruar si vonesën më të madhe atë prej 2 minutash e 24 sekondash në fillimin e pjesës së dytë të derbit ndaj Mançester Junajtid.

Kësisoj, gjoba që ka marrë Siti për këto shkelje, ishte 1,08 milion paundë.

Megjithatë, duket se skuadra e Guardiolës është “përmirësuar”, pasi një vit më parë ishte gjobitur me 2,09 milion paundë për të njëjtën arsye, pasi kishte regjistruar vonesa në 22 ndeshje.