Luis Suárez paralajmëron rivalët: Duam të kalojmë fazën e grupeve

Vetëm pak ditë përpara nisjes së Botërorit të Klubeve, sulmuesi uruguaian, Luis Suárez, ka dhënë një mesazh të qartë për rivalët e Inter Miamit, përfshirë edhe FC Porton.

Në deklaratat e dhëna për mediet, Suárez theksoi synimin e ekipit për të kaluar fazën e grupeve.

“Ndeshemi me një grup shumë të vështirë dhe konkurrues, por do të përpiqemi të japim maksimumin për të kaluar më tej.

Do të bëjmë më të mirën tonë dhe pastaj do të shohim se kë do të kemi përballë më tej,” u shpreh Suárez.

Inter Miami ndodhet në Grupin A së bashku me Porton, Al Ahly dhe Palmeiras. Sfidën hapëse do ta luajnë ndaj Al Ahly më 15 qershor, ndërsa me Porton do të përballen më 19 qershor, në orën 21:00 me orën shqiptare.

Përveç Botërorit të Klubeve, Suárez komentoi edhe rreth talentit të Barcelonës, Lamine Yamal, për të cilin pati fjalë lavdie:

“Është vetëm 17 vjeç, por po tregon një maturi të jashtëzakonshme. Është shumë bukur ta shohësh të rritet si lojtar.

Si tifoz i Barcelonës, jam shumë i lumtur për progresin e tij. Duhet të vazhdojë të kënaqet me futbollin dhe të përmirësohet çdo ditë.”

Inter Miami, që përfaqëson MLS-në në këtë turne prestigjioz, shpreson të lërë gjurmë që në pjesëmarrjen e parë dhe Luis Suárez, me përvojën dhe ambicien e tij, është një nga liderët kyç të skuadrës amerikane në këtë rrugëtim.