Zyrtare/ Igor Tudor rinovon kontratën me Juventusin deri në vitin 2027

Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht se trajneri Igor Tudor ka rinovuar kontratën e tij me klubin deri më 30 qershor 2027, me një opsion për një tjetër sezon shtesë deri në verën e vitit 2028.

Në deklaratën zyrtare të klubit thuhet:

“Pasion. Karizëm. Shpirt juventin. Këto janë fjalët që përshkruajnë më së miri atë që Igor Tudor ka sjellë që kur mori drejtimin e skuadrës në fund të marsit dhe që do të përfaqësojë edhe në vitet në vazhdim.”

Tudor, i cili mori drejtimin e bardhezinjve pas shkarkimit të Thiago Motta-s, arriti të rikthente ekipin në rrugën e rezultateve pozitive, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Fitorja e parë në debutim ndaj Genoas në ‘Allianz Stadium’ dhe ajo përmbyllëse ndaj Venezias në javën e fundit të Serie A vulosën një ecuri mbresëlënëse në pak javë punë.

“Pak muaj më parë, Tudor u ribashkua me Juventusin. Tani, kapituj të rinj presin të shkruhen së bashku,” thuhet në deklaratën e klubit.

Kroati mbylli sezonin me 5 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje, duke bindur drejtuesit për të vazhduar me të.

Drejtori i ri i përgjithshëm, Damien Comolli, shprehu besimin maksimal në Tudor gjatë një konference për shtypin këtë javë, duke konfirmuar se ai do të qëndrojë në stol për të gjithë sezonin 2025-26.

Përveç rinovimit automatik deri në 2026 falë kualifikimit në Champions, trajneri dhe klubi kanë vendosur të zgjerojnë bashkëpunimin edhe për një vit tjetër.

“Urime, trajner Tudor!” përfundon komunikata e Juventusit.