Arsenali gati të 'shpërthejë' në merkato, 130 milionë euro për Zubimendin dhe Seskon

Me synimin e qartë për të fituar titullin në Premier League, Arsenali është gati të bëjë një investim të fuqishëm në këtë verë.

Sipas raportimeve të fundit nga mediet britanike, klubi londinez ka në dispozicion 130 milionë euro për të përforcuar skuadrën dhe për t’i dhënë trajnerit Mikel Arteta një ekip që mund të shkojë deri në fund të garës për titull.

Goditja e parë: Martin Zubimendi

Në krye të listës së dëshirave ndodhet Martin Zubimendi, mesfushori i talentuar i Real Sociedad.

Me një ofertë që pritet të arrijë 60 milionë euro, “Topçinjtë” synojnë të sigurojnë shërbimet e spanjollit, i cili nuk pritet të transferohet te Real Madridi i Xabi Alonsos, duke lënë kështu derën e hapur për një kalim në Londër.

Ofensiva e dytë: Benjamin Sesko

Pjesa tjetër e buxhetit është planifikuar për repartin ofensiv.

Arsenali është i gatshëm të paguajë deri në 70 milionë euro për Benjamin Sesko-n, sulmues 21-vjeçar i Leipzigu-t, i cili ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij të qëndrueshme në Bundesligë dhe me Kombëtaren e Sllovenisë.

Arteta dhe drejtuesit e klubit po lëvizin herët dhe me vendosmëri, në mënyrë që të shmangin zhgënjimin e radhës dhe më në fund të rikthejnë titullin në “Emirates Stadium”.