Rasti ‘Astori’, dënohen mjekët për falsifikim certifikate, s’ka dëmshpërblim për familjen
Gjykata e Firences ka dhënë vendimin përfundimtar në lidhje me vdekjen tragjike të Davide Astorit, ish-kapiten i Fiorentinës dhe ish-përfaqësues i Italisë, i cili humbi jetën në mars të vitit 2018 për shkak të një arresti kardiak në gjumë.
Në qendër të procesit ishte profesori Giorgio Galanti, i cili ishte dënuar më herët me një vit burg për vrasje nga pakujdesia, dhe tani është shpallur sërish fajtor për falsifikim ideologjik, duke marrë një tjetër dënim prej një viti burg, por me pezullim të dënimit.
Sipas hetimeve, Galanti kishte lëshuar një certifikatë të rreme mjekësore, duke mos respektuar udhëzimet dhe praktikat mjekësore për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të sportistit.
Sipas prokurorisë, ai kishte miratuar aftësinë për garë të Astorit, pavarësisht anomalive të zbuluara në testet e lodhjes, të cilat duhej të kishin ndaluar dhënien e certifikatës.
Ky veprim e vendosi atë në qendër të hetimeve për përgjegjësinë në vdekjen e futbollistit.
Përveç Galantit, janë dënuar edhe dy mjekë të tjerë, Amedeo Modesti dhe Loria Toncelli, të cilët morën nga 8 muaj burg secili, gjithashtu me pezullim.
Ata akuzohen se kanë falsifikuar datën e certifikatës mjekësore, duke e bërë të përkonte me ditën kur Astori kreu një vizitë të zakonshme për aktivitetin sportiv.
Pavarësisht dënimeve, familja e Astorit dhe partnerja e tij, Francesca Fioretti, nuk do të marrin asnjë kompensim financiar, pasi kërkesat për dëmshpërblim u refuzuan.
Në një deklaratë për mediet, Fioretti u shpreh:
“E rëndësishme është që doli e vërteta. Dëmshpërblimi është gjëja e fundit që më intereson.”
Kështu mbyllet një kapitull i dhimbshëm për botën e futbollit italian dhe për familjen e Astorit, me drejtësinë që, sipas tyre, më në fund është vënë në vend.
