Lautaro dhe Barella: Afër Meksikës, do të jetë emocionuese dhe e bukur
Interi i trajnerit të ri Cristian Chivu është gati për sfidën e parë në Botërorin e Klubeve, që do të zhvillohet në orët e para të 18 qershorit kundër skuadrës meksikane Monterrey.
Takimi do të luhet në Los Angeles, shumë pranë Meksikës, çka pritet të sjellë një atmosferë të veçantë dhe shumë tifozë latinë në shkallët e stadiumit.
Kapiteni Lautaro Martinez dhe mesfushori Nicolò Barella kanë folur për ESPN nga Kalifornia, duke shprehur entuziazmin e tyre për këtë debutim në një turne të veçantë për klubin zikaltër.
“Do të jetë një ndeshje e bukur, në një ambient të nxehtë dhe një stadium të madh e të rëndësishëm.
Meksika është shumë pranë dhe do të ketë shumë tifozë që do ta bëjnë sfidën edhe më të motivuese.
Më shumë njerëz, më shumë emocion. Shpresojmë të japim maksimumin tonë,” – tha Lautaro.
Në të njëjtën linjë, edhe Barella shtoi: “Kur mësuam për shortin, folëm menjëherë në dhomat e zhveshjes.
Kam kontaktuar disa miq argjentinas që janë mësuar me këtë lloj klime dhe na treguan çfarë mund të na presë.
Do ta shijojmë këtë eksperiencë deri në fund. Nuk ka rëndësi kush ka më shumë tifozë, por kush ka më shumë dëshirë për të fituar.”
Interi vjen në këtë kompeticion pas një fund sezoni të hidhur dhe dëshiron të reagojë fuqishëm nën drejtimin e Chivu, duke e nisur këtë aventurë me fitore.
