ELBASANI ENDE I “FIKUR”! Asnjë lëvizje deri më tani në këtë merkato vere nga klubi

Elbasani ende nuk ka nisur punën për sezonin e ri. Klubi nuk ka kryer asnjë lëvizje në këtë merkato vere, teksa më 30 qershor është programuar faza përgatitore në Greqi, atje ku do të zhvillojë dhe sfida miqësore.

Elbasani duket ende ‘i fikur’, teksa po afrojmë në gjysmën e muajit qershor dhe klubi ‘verdheblu’ ende nuk ka nisur punën për sezonin e ri 2025-2026.

Drejtuesit duket se ende nuk kanë filluar nga puna për formimin e skuadrës për edicionin e ri, ndonëse disa prej klubeve të tjera të Superligës kanë ndezur motorët, duke bërë përforcime në ekipet e tyre. Asnjë afrim deri më tani për trajnerin Ivan Gvozdenoviç.

Pas largimit të portierit Abalora, po përflitet se klubi po punon për afrimin e një porteiri çek, me eksperiencë të gjatë në kampionatin vendas. Gjithsesi ende nuk kemi asnjë zyrtarizim nga ana e klubit.

Ndërkohë, një ndër emrat e tjerë që përflitet, është sulmuesi i talentuar i Laçit, Ledio Tresa. 20-vjeçari ka qenë protagonist në dy sezonet e fundit me skuadrën kurbinase dhe nga ana e drejtuesve të Elbasanit kjo do të ishte dhe një lëvizje strategjike, duke parë moshën e vetë lojtarit si dhe aftësitë e tij me topin në fushën e blertë.

Tresa është një futbollist në rritje, pjesë e Kombëtares U-21, me hapësirë të madhe për zhvillim teknik dhe taktik, çka i përputhet filozofisë së Elbasanit, për ndërtimin e një skuadre afatgjatë.

Ndërkohë, ‘verdheblutë’ do të nisë përgatitjet për sezonin e ri në fund të këtij muaji.

Më 30 qershor ekipi do të zbresë në fushë, duke nisur fazën përgatitore në Greqi. Madje është programuar edhe një ndeshje miqësore me skuadrën e Athlitiki Enosi Larissa-s FC.

Tekniku Gvozdenoviç shpreson që deri në nisje të fazës përgatitore grupi të plotësohet dhe të afrohen elementët e kërkuar.