ISSH: Mbi 22 mijë kontribues të rinj në skemë gjatë 2024-ës

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) bën të ditur se vitin që lamë pas, u shënua rritje me 3% e numrit të kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore, një indikator pozitiv për qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e skemës.

Për vitin 2024, numri i kontribuesve ka arritur në 805416 persona, duke shënuar një shtesë prej 22164 individësh krahasuar me vitin e kaluar.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ të ISSH, ku u diskutua dhe u miratua rezultati financiar i vitit 2024, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, vlerësoi këtë rritje si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e stabilitetit financiar të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe si një arritje në përpjekjet për të rritur nivelin e përfshirjes në skemë.

Ajo theksoi se ky numër i rritur kontribuesish do të ndihmojë në mbështetje të fondeve dhe në garantimin e stabilitetit afatgjatë të skemës.

Po ashtu, drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, u shpreh se ky është një sinjal i mirë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit, duke nënvizuar se rritja e numrit të kontribuesve është rezultat i një administrate të mirë dhe të angazhuar, që ka punuar për të ruajtur disiplinën dhe për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme shpenzimet e skemës.

ISSH synon rritjen e mëtejshme të të ardhurave kontributive dhe implementimin e politikave reformatore të qeverisë në fushën e pensioneve, për të siguruar një mbrojtje më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët.