NATO: Thelbësore që të punohet drejt shpërshkallëzimit të situatës mes Izraelit dhe Iranit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se ishte “thelbësore të punohej drejt shpërshkallëzimit të situatës, pas sulmeve të Izraelit ndaj zonave ushtarake dhe bërthamore në Iran.

“Kjo është qartë një situatë që evoluon me shpejtësi. Dhe ky është një veprim i njëanshëm nga Izraeli”, tha Rutte gjatë një takimi me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.

“Tani është thelbësore për shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të punojnë drejt një shpërshkallëzimi të situatës”, theksoi ai.

Komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, gjeneralmajor Hossein Salami, është vrarë nga një sulm izraelit, raportoi sot agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.

”Salami, komandanti më i lartë i IRGC-së, u vra në një sulm ndaj selisë së komandës së lartë”, theksoi agjencia.

Ai konsiderohej një nga njerëzit më të fuqishëm në Republikën Islamike.