FRIKË NGA THATËSIRA NË EUROPË! Maji 2025, muaji i dytë më i nxehtë se periudha e para-industrializimit
Evropa po përballet me kushte alarmante të thatësirës, ndërsa të dhënat e reja konfirmojnë se muaji maj 2025 ishte i dyti më i nxehtë ndonjëherë në nivel global. Ndikimet e drejtpërdrejta mungesa e shirave i ka dhënë në bujqësi dhe furnizim me ujë.
Pranvera e thatë ka përfshirë Evropën, ndërsa muaji maj 2025 është konfirmuar si i dyti më i nxehti në historinë modern.
Sipas të dhënave më të fundit nga Shërbimi Evropian i Ndryshimeve Klimatike, Copernicus temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe në maj arriti në 15.79°C, që është 0.53°C mbi mesataren mujore të viteve 1991–2020, dhe 1.4°C më e lartë se periudha e para-industrializimit 1850–1900, e cila përdoret si pikë referimi për matjen e ndryshimeve klimatike.
Kushtet e motit të thatë janë përkeqësuar në të gjithë kontinentin.
Evropa veriore dhe qendrore, si dhe pjesë të Rusisë jugore, Ukrainës dhe Turqisë, kanë përjetuar nivele më të ulëta se normalja të reshjeve dhe lagështisë në tokë disa prej tyre më të ulëtat që nga 1979.
Në shumë zona të Evropës veriperëndimore, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, janë raportuar mungesa të reshjeve, ulje të ndjeshme të lagështisë në tokë dhe shqetësime serioze për furnizimin me ujë.
Fermerët në disa vende kanë nisur të raportojnë prishje të mbjellave, çka mund të ketë ndikime të ndjeshme në zinxhirin ushqimor dhe ekonominë bujqësore.
Kushtet e thata nuk janë kufizuar vetëm në Evropë.
Muaji maj ishte gjithashtu më i thatë se mesatarja në Amerikën e Veriut, Bririn e Afrikës, Azinë Qendrore, Australinë jugore, dhe në pjesë të mëdha të Afrikës Jugore dhe Amerikës së Jugut.
Në të njëjtën kohë, janë regjistruar temperatura të larta të sipërfaqes së detit në Atlantikun Verilindor, më të lartat ndonjëherë duke shtuar një tjetër sinjal të qartë se sistemi klimatik është në krizë të thellë.
Këto zhvillime ngrenë alarmin për një verë potencialisht të ashpër për Evropën dhe shumë pjesë të tjera të botës. Pa reshje të mjaftueshme gjatë muajve në vijim, rreziku i krizave të ujit, do të bëhet gjithnjë e më i madh.

