Edhe guvernatori i Teksasit planifikon vendosjen e Gardës Kombëtare, pas trazirave në Los Anxheles
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott ka njoftuar planet për të vendosur njësi të Gardës Kombëtare, ndërsa protestat kundër masave të ashpra të Presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj imigracionit duket se do të përhapen më tej.
“Garda Kombëtare e Teksasit do të vendoset në vende të ndryshme në të gjithë shtetin për të siguruar paqen dhe rendin. Protesta paqësore është e ligjshme. Dëmtimi i një personi ose prone është i paligjshëm dhe do të çojë në arrestim”, postoi Abbott në X.
Ai shtoi se forca “do të përdorë çdo mjet dhe strategji për të ndihmuar zbatimin e ligjit në ruajtjen e rendit”.
Një raport në të përditshmen lokale ”San Antonio Express-News” tha se demonstratat kundër arrestimeve të migrantëve pa dokumente ishin planifikuar në zonën e qendrës së qytetit për të mërkurën dhe të shtunën.
Në Los Anxheles, 25 persona u arrestuan me dyshimin për shkelje të orës policore të shpallur nga kryetarja e bashkisë, Karen Bass. Protesta shpërthyen gjatë fundjavës në Los Anxheles, ku jetojnë qindra mijëra migrantë pa dokumente.
Banorët kanë demonstruar për pesë ditë kundër politikave të Trump që synojnë ndalimin dhe deportimin e migrantëve të parregullt.
Në Kaliforni, Trump ka urdhëruar vendosjen e mijëra trupave të Gardës Kombëtare kundër dëshirës së guvernatorit Gavin Newsom.
