Gjenerali i lartë gjerman kërkon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Gjenerali gjerman i NATO-s, Christian Badia, ka bërë thirrje për rivendosjen e rekrutimit ushtarak në Gjermani, për shkak të një mungese të mundshme trupash prej deri në 60 000 trupash në Bundeswehr.

”Rikthimi i rekrutimit duhet të përgatitet tani”, theksoi Badia në një intervistë.

Gjermania pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe civil në vitin 2011, pas 55 vitesh, duke çmontuar të gjitha strukturat përkatëse.

Badia, i cili ndihmon në përshtatjen e planifikimit të NATO-s në Komandën e Transformimit në Shtetet e Bashkuara, tha se ”rekrutimi vullnetar nuk ka arritur të mbushë radhët e Bundeswehr-it në vitet e fundit” dhe paralajmëroi se ”vonesat e mëtejshme do ta pengonin Gjermaninë të përmbushë objektivat e saj të aftësive në NATO”.

Badia gjithashtu hodhi poshtë argumentet se Gjermania nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur një ushtri rekrutimi.

”Kazermat e vjetra mund të rinovohen dhe të operohen nga investitorë privatë me Bundeswehr-in si qiramarrës”, theksoi ai.

Ideja e rivendosjes së rekrutimit ka fituar terren për shkak të shqetësimeve në rritje për sigurinë në Evropë.

Merz thotë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak mund të rishqyrtohet.

“Unë ndaj vlerësimin e ministrit të Mbrojtjes se tashmë na mungon një numër pesëshifror ushtarësh në Bundeswehr”, tha Merz pas një takimi me kryeministrin holandez Dick Schoof në Berlin.