RINUMËRIMI “I KOTË” I DIBRËS! KAS hap 42 kuti për votat preferenciale, Gjunkshit iu “vodhën” 17 vota
Me vendim të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, KQZ verifikoi votat preferenciale të 42 kutive në qarkun e Dibrës, ku rezultoi pa ndryshime. Nga rinumërimi, nuk ndryshoi renditja e kandidatëve të listës së hapur edhe pse Xhemal Gjunkshi mori rreth 20 vota më tepër
Hapja e kutive të Qarkut Dibër nuk solli ndryshime në renditjen e kandidatëve të PD më 11 maj.
Me Vendim të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, KQZ rinumëroi votat e kandidatëve në të 42 kutive, pasi kandidati demokrat Xhemal Gjunkshi pretendonte se kishte marrë më shumë nga ccfarë rezultoi nga numërimi në komisione
Diferenca nuk ishte aq e lartë sa pretendimi i tij. Nga rivlerësimi i 41 kutive rezultoi se Gjunkshi kishte vetëm 17 vota mangët, ndërsa një kuti u numërua më vonë.
As ajo nuk solli ndryshim të mjaftueshëm për t’i dhënë mandatin garuesit opozitar apo edhe për rinumërimin e të gjitha kutive në qarkun Dibër, pasi përparim spahiu qëndron sërish me 50 vota para.
Renditja e listës së hapur në Dibër për PD nuk prodhon mandat, pasi janë vetëm fitues nga zgjedhjet e 11 majit. Por nëse një dorëhiqet, atëherë në seancë shkon ai që ka më shumë vota.
Ndërkohë, nga e hëna e ardhshme, pritet të nisë rinumërimi i votave për subjektet dhe kandidatët për qarkun Tiranë, më pas për Fierin e në vijim me Durrësin, vendim që u mor gjithashtu nga dy anëtarët e PD në KAS.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se procesi pritet të zgjasë deri në 20 ditë ndërkohë që rezultati në të gjithë Shqipërinë pritet të certifikohet në mes të gushtit pas përfundimit të ankimimeve të bëra nga opozita.

