Ndarja nga jeta e Bujar Bukoshit, Rama: Politikan i rafinuar dhe njeri i ndjeshëm

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.

“U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe Kosovës për humbjen e një shqiptari të mirë, politikani të rafinuar e njeriu të ndjeshëm si Bujar Bukoshi”, u shpreh Kryeministri Rama në një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare pasi po përballej me një sëmundje të rëndë shëndetësore.

Bujar Bukoshi, i cili ka lindur më 1947 në Suharekë, u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit. Më pas, ai punoi si mjek në Suharekë.

Bukoshi ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 1989 themeloi Këshillin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ).

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i Qeverisë së përkohshme të Kosovës ne ekzil, nga viti 1991 deri në vitin 2000.

Gjithashtu, ishte zëvendëskryeministër i Kosovës në qeverinë Thaçi nga viti 2011 deri në vitin 2014.