Përpl*sje fizike dhe të shtëna në “Ali Demi”, reagon policia: 4 persona në kërkim, 1 i plagosur
Një përplasje e dhunshme mes disa të rinjve solli tension në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, mbrëmjen e kaluar. Rreth orës 23:00, situata degjeneroi në dhunë fizike dhe dyshohet se u qëllua edhe me armë zjarri në ajër.
Nga konflikti mbeti i lënduar një 26-vjeçar, i cili mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka dhënë deklarime kontradiktore për ngjarjen, ndërsa policia ka shpallur në kërkim katër shtetas të dyshuar si të përfshirë në konflikt.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një shkop bejsbolli, dy gëzhoja, një automjet dhe tre celularë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarve.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 shpallën në kërkim shtetasit F. D., 36 vjeç, D. Zh., 25 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe F. S., 27 vjeç, pasi mbrëmë, rreth orës 23:00, në rrugën “Ali Demi”, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi G. K., 26 vjeç (i dyshuar i përfshirë në konflikt), i cili mori ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Me 26-vjeçarin do të kryhen veprime procedurale në vijim, pasi ka deklaruar të dhëna kontradiktore për ngjarjen. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfiktit është qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kryerjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 1 shkop bejsbolli, 2 gëzhoja, 1 automjet dhe 3 celularë. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
