Gjyshja denoncoi humbjen e nipit/ 6-vjeçari gjendet pa jetë pranë lumit Shkumbin, ja dyshimet e para
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e 10 qershorit në Elbasan, ku një fëmijë 6-vjeç humbi jetën në rrethana të dhimbshme. Rreth orës 19:50, shtetasja D. A. njoftoi Policinë se nipi i saj ishte zhdukur prej më shumë se tre orësh.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën kërkimet intensive, dhe rreth orës 21:30 trupi i pajetë i të miturit u gjet buzë lumit Shkumbin, në lagjen “Çezme”.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk u konstatuan shenja dhune, ndërsa hetimet e deritanishme çojnë në dyshimin se fëmija është mbytur aksidentalisht në lumë. Materialet për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për vlerësim të mëtejshëm ligjor.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
