Nishanet dhe kanceri i lëkurës/ Dermatologia apelon për kontroll të nishaneve para ekspozimit në diell
Me nisjen e verës, rritet rreziku për melanomë për shkak të ekspozimit ndaj diellit.
Dermatologia Monika Fida këshillon kontrolle të rregullta të nishaneve, veçanërisht te fëmijët.
Me afrimin e sezonit të verës dhe ekspozimin më të madh ndaj diellit, dermatologët apelojnë për kujdes të shtuar për lëkurën për të shmangur ose zbuluar në kohë sëmundjet e mundshme.
Mjekja dermatologe Monika Fida, në një intervistë për Ora News, thekson rëndësinë e kontrollit të rregullt të nishaneve përmes dermatoskopisë.
‘’Përpara fillimit të ekspozimit në diell është shumë e rëndësishme që çdo individ të kryejë një kontroll të nishaneve të tij ku mjekët dermatologë mund të kryejnë një ekzaminim me dermatoskop’’.
Sipas mjekes, zbulimi në fazë të hershme i kancerit të lëkurës rrit ndjeshëm shanset për një trajtim të suksesshëm.
Por nëse sëmundja diagnostikohet me vonesë, ajo mund të rezultojë fatale.
‘’Gjatë kontrolleve periodike rutinë ne mund të arrijmë që të detektojmë në fazat e hershme kancerin e lëkurës ose melanomën dhe nga ana tjetër diagnostikimi i hershëm realizon një trajtim adekuat duke pasur në këtë mënyrë një prognozë të mirë nëse diagnostikohemi herët’’.
Grupet më të rrezikuara janë fëmijët, pasi djegiet nga dielli në moshë të vogël lidhen me një rrezik të shtuar për zhvillimin e melanomës në moshë madhore.
Ndaj mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollojnë lëkurën rregullisht dhe të shmangin ekspozimin e tepërt në diell, veçanërisht gjatë orëve të pikut.
