Shtohen aksidentet e dyrrotakëve/ Likaj: Motomjetet në qytet, rrezik për shkak të manovrave të gabuara

Motomjetet dhe monopatinat po kthehen në burim rreziku për shkak të manovrave të gabuara dhe mungesës së njohjes së Kodit Rrugor nga përdoruesit.

Eksperti rrugor Fadil Likaj kërkon rregullimin me ligj të mjeteve alternative dhe fushata ndërgjegjësimi për sigurinë në trafik.

Dyrrotakët, përfshirë motomjetet dhe monopatinat, po kthehen gjithnjë e më shumë në një burim rreziku në trafikun urban.

Numri i aksidenteve ku përfshihen këto mjete është në rritje, dhe eksperti rrugor Fadil Likaj ngre alarmin për mungesën e sigurisë dhe të njohjes së rregullave nga përdoruesit, sidomos të rinjtë.

Ndërkohë, monopatinat, që përdoren kryesisht nga adoleshentët, përbëjnë një tjetër shqetësim.

‘’Për natyra e aksidenteve që kanë ndodhur nga dyrrotakët qoftë nga biçikleta, qoftë nga monopatinat apo qoftë edhe nga motomjetet zakonisht natyra e aksidenteve ka ardhur për shkaqe të mos sigurimi të manovrës, qoftë për kthimin nga e majta, qoftë për kthimin nga e djathta apo qoftë për tu futur në fluksin e lëvizjeve.

Por nga ana tjetër kjo është kategoria e shkeljeve të kodit rrugor nga monopatinat dhe nga biçikletat''.

Për ekspertin këto duhet të klasifikohen saktësisht në kuadrin ligjor, pasi adoleshentët që i përdorin nuk e njohin kodin rrugor dhe mungesa e njohurive ndikon drejtpërdrejt në rruge.

Ekspertët i bëjnë thirrje autoriteteve që të rishikojnë kuadrin ligjor për mjetet alternative të transportit dhe të nisin fushatat e  ndërgjegjësimit .