Panariti: Sistemi i sigurisë ushqimore në vend nuk gjurmon ndotësit kimikë

Sekretari për Bujqësinë në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti u shpreh sot gjatë një deklarate për mediet, se afrimi i stinës së nxehtë dhe rritja e temperaturave, do të rrisë rreziqet që vijnë nga ushqimi, veçanërisht nga intensifikimi i ndotjes bakteriale.

Sipas Panaritit, kjo na ekspozon të gjithëve ndaj një rreziku më të madh dhe më të shtuar ndaj ushqimeve të ndotura.

“Të gjitha këto do të përballen nga një sistem i “Sigurisë Ushqimore” në vend, i cili ka dëshmuar se nuk parandalon dhe nuk gjurmon ndotjen e ushqimit, për rrjedhojë nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e kërkuar nga konsumatorët. Rastet e përsëritura të ndotjes të ushqimeve me baktere, me lëndë kimike, dëshmojnë se sistemi i sigurisë ushqimore në vend nuk arrin të zbulojë, nuk gjurmon dhe nuk parandalon depërtimin e ndotësve kimikë, atyre bakteriale dhe më gjerë në ushqimet tona”, tha ai.

“Prodhimet ushqimore të ndotura, qofshin këto me origjinë shtazore si mishi, qumështi, veza, por edhe ato me origjinë bimore siç janë frutat dhe perimet, futen në treg dhe zbulimi i ndotësve ndodh kur ato janë të pranishme në treg dhe një pjesë e tyre ka përfunduar dhe në kuzhinat e konsumatorëve. Për rrjedhojë bllokimi dhe konfiskimi i tyre është shumë i vështirë dhe thuajse i pamundur”, vijoi Panariti.

Sekretari për Bujqësinë pranë PL-së tha se kemi një çedim të rëndë të sistemit të sigurisë ushqimore në atë që është esenciale, që është parandalimi i futjes së ndotësve në zinxhirin ushqimor.

“Dhe kjo nuk mund të ndryshojë nëse nuk do kemi guximin, kurajën dhe vendosmërinë për të ndryshuar përqasjen ndaj sistemit të sigurisë ushqimore të vendit, i cili duhet të bazohet në parimin Europian, nga ferma në tavolinë, e cila ka si bazë parandalimin dhe gjurmimin dhe jo thjesht konstatimin, siç ndodh për fat të keq, ku çdo sforco bëhet për identifikimin dhe konstatimin e ndotësve kur ato tashmë janë në treg dhe për rrjedhojë ndalimi i këtyre  produkteve është shumë i vështirë”, pohoi ai.

Panariti u shpreh se i kërkohet Ministrisë së Bujqësisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të ndryshojë totalisht përqasjen ndaj përballjes me problemin e sigurisë ushqimore në vend.

“Në radhë të parë duhet ndryshuar një Akt Normativ abuziv, i cili ka hyrë në fuqi mbas vitit 2017, sipas të cilit mundet që kontrolli i ushqimeve të bëhet edhe mbasi produktet të kenë dalë në treg, gjë që në njëfarë mënyre ligjëron edhe depërtimin e ndotësve. Të rikthehet menjëherë praktika e mëparshme, ku të mos lejohet lëvizja e ushqimit drejt tregut, të mbahet ai në kontejnerë, magazina frigoriferike dhe të dali në treg vetëm kur të jenë kryer në mënyrë të plotë të gjitha analizat e kërkuara sipas ligjit të ushqimit dhe sipas direktivave të Bashkimit Europian.

Vetëm në këtë mënyrë ne do të mundet të kontrollojmë në mënyrë të efektshme dhe të pengojmë futjen e ndotësve në zinxhirin ushqimor”, cilësoi ai.

Panariti theksoi se “vetëm me një qëndrim të përgjegjshëm ndaj problemeve të sigurisë ushqimore, të blegtorisë dhe bujqësisë ne Shqipëri do të jemi në gjendje që të ruajmë dhe të mos lejojmë që të kemi dëmtime masive në zinxhirin ushqimor”.