Interi zgjedh Cristian Chivu-në, tekniku rumun pritet të nisë udhëtimin me zikaltrit nga Botërori i Klubeve

Interi dhe trajneri rumun, Cristian Chivu, kanë arritur në një marrëveshje për stolin zikaltër në dy vitet e ardhshme.

Pas një takimi të parë pozitiv të enjten në mbrëmje, këtë të premte është zhvilluar një tjetër diskutim vendimtar në selinë e klubit mes drejtuesve të Interit, trajnerit dhe agjentit të tij.

Kontrata pritet të jetë e vlefshme deri në vitin 2027, me një pagë rreth 2.5 milionë euro në sezon.

Në selinë zikaltër ishin presidenti Giuseppe Marotta, drejtori sportiv Piero Ausilio dhe vetë Chivu, për të finalizuar gjithçka.

Vendimi për të emëruar Chivun vjen vetëm pak ditë para nisjes së misionit të Interit në Botërorin për Klube, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara.

Interi zgjedh Cristian Chivu-në, tekniku rumun pritet të nisë

Ish-mbrojtësi Andrea Ranoçhia, dikur shok skuadre me Chivun, e konsideroi këtë të fundit si zgjedhjen e duhur.

“Është njeri me integritet, i dashur nga të rinjtë, shumë inteligjent dhe i aftë të krijojë frymë grupi”, tha ai.

Megjithatë, jo të gjithë tifozët janë të bindur. Në rrjetet sociale ka shpërthyer pakënaqësia: shumë e shohin Chivun si të papërvojë për një skuadër si Interi, duke e krahasuar me rastin e dështuar të Stramaçionit.

Edhe pjesë e tifo-grupit Curva Nord ka dhënë shenja tensioni, por drejtuesit e saj kanë kërkuar maturi dhe besim në këtë moment të ndjeshëm.

Pavarësisht zërave, Interi po ecën përpara me projektin Chivu, me shpresën se një ish-hero i “tripletës” do të mund të nisë një faqe të re suksesi në pankinë.

Vendimi për kreun e pankinës erdhi menjëherë pasi Inzagi që arriti ta çojë Interin deri në vendin e dytë në serie a por dhe në finale e Champion League, u largua drejt Arabisë me një kontratë me Al Hilal.