HAKMARRJA/ Ekzekutuan Edmond Papën, Prokuroria kërkon 30 dhe 25 vite burg për Andrew Boden dhe Alban Velon

Në akuzën e vrasjes me paramendim Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg për Andrew Boden dhe me 25 vite të Alban Velos. Në gjykatë u tha se ata ekzekutuan 3 vite më parë Edmond Papën, ndërsa shkak ishte hakmarrja

Prokuroria e Tiranës ka dhënë konkluzionet përfundimtarë për dy autorët e dyshuar të vrasjes se biznesmenit Edmond Papa, ngjarje e shënuar në muajin dhjetor 2022 në kryeqytet.

Për Andrew Boden personin që dyshohet si ekzekutor i 49 vjeçarit, organi akuzës kërkoi nga Gjykata e Tiranës dënimin me 30 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, “mbajtje pa leje te armëve”.

Ndërsa për Alban Velo, 30-vjeçarin që u arrestua pak ditë pas ngjarjes, prokuroria kërkoi 25 vite.

Prokurori Albert Kuliçi kërkoi që dy të pandehurit të kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin.

Edmond Papa u ekzekutua në 16 dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”.

Autorët qëlluan 9 herë në drejtim të biznesmenit dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, teksa ky i fundit ndërroi jetë rrugës për në spital.

Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në qytetin e Sarandës. Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar. Arsyeja qe çoi në vrasjen e tij ishte hakmarrja.