EMRAT+VIDEO/ Veshjet “firmato” te Rruga e Arbrit, arrestohet “koka” turke e grupit kriminal dhe pronari i magazinës
Policia e kryeqytetit njofton se vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”, teksa jane lokalizuar dhe kapur të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.
I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.
Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Kujtojmë se gjatë operacionit të djeshëm:
-u arrestua shtetasi Lindion Haka dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi Arjan Hida, qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.


