SPAK “FUNDOS” KRYEBASHKIAKUN! Rëndohet situata penale e çiftit Veliaj-Xoxa, i sekuestrohet banesa te “Kodra e Diellit”, në pronësi të Gent Sulës
Kryebashkiakut Erion Veliaj i arrestuar që prej 10 shkurtit të këtij vitit dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, tashmë i janë shtuar edhe ajo e sekuestrimit të banesës së tij tek Kodra e Diellit” në Tiranë, e cila është në pronësi subjektit tregtar “Agi KONS.” Shpk, të biznesmenit nën hetim për të njëjtën dosje Gent Sula
“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme njofton se ka regjistruar një tjetër akuzë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
I ndodhur në qelinë e Durrësit që prej 13 shkurtit me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe më pas futje e sendeve të ndaluara në qeli, Veliaj tashmë akuzohet dhe për: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Kjo akuzë e re vjen pasi është arritur në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi pasuri të padeklaruara, të lidhura me çiftin, pranë rezidencës “Kodra e Diellit”, ku ata jetojnë aktualisht. Në lidhje me këtë rast mosdeklarimi, është regjistruar dhe një akuzë e re për bashkëshorten e kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxa.
Ja njoftimi i SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.
Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme:
Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;
Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


